Në anketë morën pjesë 56 qytetarë/e, ndër të cilët 18 ishin prej Ulqinit, ndërsa pyetësori tregoi se për temën më shumë u interesuan femrat (41), sesa meshkujt (15).
- Nami për vetitë shëruese të burimeve të ujërave sulfurore në këtë hapësirë kanë kaluar qyshkur kufijtë e vendit tonë. Ulqinakët në moshë mbajnë mend se gjatë viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar me mijëra gra çdo vit e kanë shijuar këtë vend, nga maji në tetor. Ky plazh, vetëm për gra, është tërheqës edhe për shkak të baltës shëruese dhe ujërave sulfuror. Gjiri i fshehur, i rrethuar nga pylli dhe bimësia, ofron privatësi shtesë – thonë bashkëbiseduesit tonë.
Përkundër potencialit natyror dhe turistik që e kanë bërë me famë gjatë dekadave të kaluara, duket sikur shërbimet kompetente turistike dhe komunale, kohët e fundit, e kanë harruar këtë gjë, prandaj mungojnë aranzhmanet e menduara dhe të brenduara, që do ta vendosnin Plazhin e Grave në vendin që i takon me meritë.
- Plazhi i Grave duhet të promovohet përmes përmbajtjeve mediatike – mendojnë pjesëmarrësit e anketës. Po ashtu, 33 qytetarë/e vlerësojnë se duhet të krijohen aranzhmanet individuale turistike dhe ky plazh të bëhet pjesë e ofertës turistike shëndetësore.
Në favor të këtij qëndrimi flet edhe fakti se valët e detit bashkë me ujin sulfuror krijojnë molekule ideale, mikro dhe makro, të përshtatshme për terapinë natyrore aerosol, derisa gjinekologët mendojnë se është i dobishëm edhe për shërimin e sterilitetit. Nuk është sekret që mjekët e vjetër dikur kanë rekomanduar që, së bashku me trajtimet mjekësore, pacientja të rrezitet dhe të lahet në ujin sulfuror. Për vetitë shëruese të Plazhit të Grave kanë dëgjuar 36 qytetarë/e, që morën pjesë në anketë, ndërsa tetë prej tyre janë përgjigjur se njohin gra të cilave i ndihmojë banja në këtë plazh.
Plazhi i Grave është "Perlë e Ulqinit" thonë 92.3 për qind e qytetarëve/eve, mirëpo në pyetjen se a mendojnë që në tërësi është shfrytëzuar potenciali i këtij plazhi, 53.8 për qind e tyre janë përgjigjur se kjo gjë është bërë vetëm pjesërisht, gjersa 46.2 për qind vlerësojnë se Plazhi i Grave nuk është shfrytëzuar aspak.
Duke përkrahur gazetarinë e angazhuar, besojmë se rezultati i anketës do ta bëjë këtë temë përsëri aktuale, do të ndihmojë rritjen e vetëdijes për zhvillimin e turizmit shëndetësor, si dhe për lindjen e ideve të reja për promovimin dhe brendimin e Plazhit të Grave.
* Teksti u krijua përmes projektit "Crnom Gorom - Përgjatë Malit të Zi" në kuadër të programit "Media for All", të cilin e financon Qeveria e Britanisë së Madhe, ndërsa e realizon Këshilli Britanik me organizatat partnere BIRN, INTRAC dhe Fondacionin Thomson, i cili përkrah mediat në Ballkanin Perëndimor. Përmbajtja e mbledhur dhe qëndrimet e shprehura janë përgjegjësi vetëm e autorit.